Pa opozitën votohet në parim Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pa mbështetjen e opozitës.
“61 deputetë kanë votuar për këtë projektligj. 58 vota janë për, 3 deputetë kanë abstenuar, kështu që konstatoj se Kuvendi e miratoi në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, deklaroi kryeparlamentari, Glauk Konjufca.
Por, Konjufca dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica, kanë abstenuar.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, propozoi që projektligji për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, të mos votohet pa pasur gjithpërfshirje.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky projektligj do të vihet në votim sot në parim, e pastaj të adresohen rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Mes tjerash, shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, deklaroi se janë darkorduar që pronësinë mbi vetingun ta marrë Kuvendi i Kosovës.
“Është e domosdoshme që të kemi sa më shumë konsultime. Byroja Shtetërore dhe vetingu në sistemin e drejtësisë nuk janë e njëjta gjë”, tha ai.
Opozita kundërshtoi dhe kërkoi që ky projektligj, të cilin e konsiderojnë kundërkushtetues, të mos hedhet në votim.
Ndërkaq, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u shpreh se kërkojnë gjithpërfshirje në reformën në sistemin e drejtësisë.
“Në qoftë se kryeministri vendos të shkojë pa konsultim, atëherë vazhdoni. Rruga e mbarë ju qoftë”, tha ai ndër tjerash, duke thënë se do të ndjekin rrugën institucionale.
“Propozimi im është që deri ta kemi një konkluzion për nismën tuaj për koordinim për procesin e vettingut, të mos votohet as ky projektligj. Besoj që pajtimi ishte që të kemi një pajtim”, tha ndërkaq shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Ai paralajmëroi edhe dërgimin e projektligjit në Gjykatën Kushtetuese.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, tha se dje u takuan dhe u morën vesh për t’i trajtuar “në pako” çështjet e vetingut, ndërsa ai i AAK-së tha po ashtu se duhet të ketë dakordim që, siç tha, “nëse do të ketë ndryshime kushtetuese, të ketë konsensus”.
Ai tha se projektligji bie ndesh me Kushtetutën dhe se ai duhet të kthehet dhe të diskutohet.
Kryetari i Kuvendit, Galuk Konjufca ka thënë se qëndrimi i tij ka qenë ky që pasi e ka dërguar këtë projektligj në Komisionin e Venecias i ka pritur opinionet e këtij komisioni duke shtuar se i ka lexuar ato me vëmendje.
“Kam besim në komisionet e Kuvendit. Komisioni i cili e trajton mendoj që e ka aftësinë me i përfshi këto opinione të komisionit të Venedikut. Unë mendoj që duhet të shkojmë deri në atë pikë që të vlerësojmë se komisioni do i përfshijë opinionet e Venedikut apo jo”.