Pa përfshirjen e Kosovës s’mund të realizohet minishengeni ballkanik

15 nëntor 2019 | 16:53

Minishengeni ballkanik nuk mund të realizohet pa përfshirjen e Kosovës. Një mesazh i tillë është nënkuptuar të paktën pas reagimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë mbështetur nismën për minishengen, por i kanë kërkuar vendeve të rajonit që të përfshijnë aty edhe Kosovën dhe qeverinë e saj.

Edhe analistë të çështjeve politike në Tiranë dhe Prishtinë kanë thënë për “Radion Evropa e Lirë” se kjo nismë duhet të përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se ky proces nuk sjell asnjë pasojë negative për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Drejtori i Institutit për Studime Politike në Tiranë, Afrim Krasniqi, ka thënë se nisma rajonale për një minishengen ballkanik nuk ishte përgatitur dhe nuk ishte konsultuar ashtu si do të duhej të bëhej.

“Në rastin e Kosovës u gabua dyfish. Kosova jo vetëm që nuk ishte pjesë e procesit dhe konsultimit paraprak, por Kosova u përfshi në deklaratat publike zyrtare që u mbajtën aty duke u kritikuar dhe u kthye deri diku në një investim kundër imazhit të Kosovës, dhe kjo dëmton raportin e kësaj nisme me Kosovën”.

“Por, nëse ky proces zgjerohet dhe përfshin vendet e rajonit dhe nëse ky proces merr për bazë gjithë procesin që do të ndodhë në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për njohjen e realitet në Kosovë dhe në Ballkan, atëherë nuk sjell asnjë pasojë negative, përkundrazi në të ardhmen mund të jetë një proces pozitiv”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, koncepti i hapjes së tregjeve dhe kufijve në aspektin e një standardi të ri është trendi që sot përkrahet nga vendet perëndimore, sidomos kur bëhet fjalë për Ballkanin që është me shumë probleme.

Javën e kaluar liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pa pjesëmarrjen e Kosovës e kanë miratuar në Ohër një deklaratë me një listë të përparësive dhe masave, me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal duke përfshirë lëvizjen e lire të njerëzve dhe mallrave.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/mini-shengeni-ballkanik-perfshirja-e-vendeve/30274001.html.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Let’s Do It” ka vazhduar monitorimin e zbatimit të Udhëzimit…