Pa përkrahjen e BE-së dhe të ShBA-së vetingu s’mund të zbatohet
Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se përkrahja e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) është jetike për procesin e vetingut. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se pa përkrahjen e këtyre aleatëve ky proces nuk mund të zbatohet në Kosovë. Shasha ka theksuar se brengosja e BE-së për vetingun në drejtësi ka ardhur në mungesë të një dialogu në mes të institucioneve të Kosovës dhe BE-së. Sipas tij, ky proces kompleks kërkon ekspertizë specifike të cilën nuk e ka Kosova
Muhamet KOCI
Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka folur për shqetësimet e Bashkimit Evropian për procesin e vetingut në fushën e drejtësisë. Ai ka thënë se ky proces nuk do të mund të zbatohet pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Shasha ka deklaruar se realizimi i këtij procesi kërkon ekspertizë specifike e cila nuk ekziston në Kosovë. “Konsideroj se pa përkrahjen e BE-së dhe të ShBA-së vetingu nuk do të jetë i mundur të zbatohet pasi që një proces kaq i ndjeshëm dhe kompleks kërkon jo vetëm përkrahje politike nga aleatët tanë strategjikë, por edhe ekspertizë specifike e cila nuk ekziston në Kosovë”, ka thënë Shasha.
Ai ka treguar se pse ka ardhur deri te kjo brengosje e BE-së për procesin e vetingut të propozuar nga Qeveria e Kosovës. Sipas Shashës, kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së dialogut në mes të institucioneve të Kosovës dhe BE-së. “Nga ana tjetër, unë jam i bindur se mungesa e harmonisë së qëndrimeve në mes të institucioneve të Kosovës dhe BE-së sa i përket vetingut vjen si rezultat i mungesës së dialogut thelbësor në mes të dy palëve. Rrjedhimisht, jam i bindur se nëse qeveria arrin të shpjegojë në mënyrë koherente dhe logjike nevojën dhe mënyrën e zbatimit të vetingut në Kosovë, atëherë do ta sigurojë edhe përkrahjen e BE-së dhe të ShBA-së”, ka thënë Shasha.
Në këtë intervistë drejtori i Institutit EPIK-ut ka folur edhe për kundërshtimin që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka bërë qëndrimit të BE-së për procesin e vetingut. “Jam plotësisht dakord që Kosova është në të drejtën e saj dhe të ketë qëndrime shtetërore të cilat reflektojnë vullnetin e qytetarëve. Sidoqoftë, do të pëlqeja që mospajtimet eventuale me aleatët tanë strategjikë të trajtohen mbrapa dyerve të mbyllura dhe jo përmes diskursit publik”, ka thënë Shasha.
“Epoka e re”: Presidentja e vendit ka shprehur mospajtime me raportin e BE-së për këtë çështje. Si e keni parë reagimin e saj? A është kjo qasja që duhet ta ndjekin institucionet e Kosovës në raport me BE-në?
Shasha: Jam plotësisht dakord që Kosova është në të drejtën e saj, se duhet të ketë qëndrime shtetërore të cilat reflektojnë vullnetin e qytetarëve. Sidoqoftë, do të pëlqeja që mospajtimet eventuale me aleatët tanë strategjikë të trajtohen mbrapa dyerve të mbyllura dhe jo përmes diskursit publik.
“Epoka e re”: Z. Shasha, si e keni parë raportin e progresit të KE-së për Kosovën?
Shasha: Në përgjithësi, raporti konfirmon se nuk ka pasur progres në reformat në rrugën tonë integruese, pasi që Kosova ka kaluar nëpër një periudhë kaotike politike ku kemi pasur dy qeveri të ndryshme brenda një periudhe të shkurtër kohore në mes të pandemisë. Një mjedis i tillë politik nuk ka lejuar progres të ndjeshëm në rrugën tonë integruese.
“Epoka e re”: Cilat janë porositë kryesore që institucionet e Kosovës duhet t’i marrin nga ky raport?
Shasha: Janë, ndoshta, dy mesazhe kryesore: dialogu me Serbinë dhe sundimi i ligjit. E para, raporti qartë nënvizon se dialogu me Serbinë është kyç për avancimin e rrugës sonë integruese. E dyta, sundimi i ligjit është kriteri i dytë më i rëndësishëm për avancimin e Kosovës në rrugën integruese, qoftë sa i përket liberalizimit të vizave apo marrjes së statusit të vendit kandidat.
“Epoka e re”: Në raport BE-ja shpreh shqetësimin e saj në lidhje me procesin e vetingut në drejtësi. Pse mendoni se BE-ja po e kundërshton këtë proces?
Shasha: Qëndrimi i BE-së është se vetingun duhet parë si mjet i fundit në adresimin e sfidave të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Konsideroj se BE-ja është e mendimit se para nisjes së një procesi kaq të ndjeshëm dhe kaq kompleks sikur që është vetingu, duhet eksploruar të gjitha rrugët e tjera që i kemi për momentin në dispozicion. Pra, me fjalë të tjera, qëndrimi i BE-së është se fillimisht duhet shfrytëzuar në plotni legjislacioni dhe instrumentet momentale për avancimin e sundimit të ligjit, e vetëm nëse ato dështojnë mund të kalohet te zbatimi i vettingut.
“Epoka e re”: Pas brengosjes së BE-së ndaj këtij procesi, a duhet të vazhdojë procesi i vetingut?
Shasha: Konsideroj se pa përkrahjen e BE-së dhe të ShBA-së vetingu nuk do të jetë i mundur të zbatohet pasi që një proces kaq i ndjeshëm dhe kompleks kërkon jo vetëm përkrahje politike nga aleatët tanë strategjikë, por edhe ekspertizë specifike e cila nuk ekziston në Kosovë. Nga ana tjetër, unë jam i bindur se mungesa e harmonisë së qëndrimeve në mes të institucioneve të Kosovës dhe BE-së sa i përket vetingut vjen si rezultat i mungesës së dialogut thelbësor në mes të dy palëve. Rrjedhimisht, jam i bindur se nëse qeveria arrin të shpjegojë në mënyrë koherente dhe logjike nevojën dhe mënyrën e zbatimit të vetingut në Kosovë, atëherë do ta sigurojë edhe përkrahjen e BE-së dhe të ShBA-së.
“Epoka e re”: Presidentja e vendit ka shprehur mospajtime me raportin e BE-së për këtë çështje. Si e keni parë reagimin e saj? A është kjo qasja që duhet ta ndjekin institucionet e Kosovës në raport me BE-në?
Shasha: Jam plotësisht dakord që Kosova është në të drejtën e saj, se duhet të ketë qëndrime shtetërore të cilat reflektojnë vullnetin e qytetarëve. Sidoqoftë, do të pëlqeja që mospajtimet eventuale me aleatët tanë strategjikë të trajtohen mbrapa dyerve të mbyllura dhe jo përmes diskursit publik.