Pa profilizim ideologjik partiak dhe pa përfundim të negociatave me Serbinë, ndryshimi në Kosovë s’mund të ndodhë
Fadil Maloku
1. Rëndomë thuhet se elementet kyçe të një partie politike duhet të jenë: Ideologjia që ka të bëjë me një kontingjent idesh apo konceptesh që mundohet t’i fuqizojë ajo në publik: pastaj, Statuti që në fakt është një përmbledhje kodesh, qëndrimesh dhe vendimesh ku në mënyrë më detale përshkruhen format, detyrat dhe sidomos obligimet e pjesëtarëve të asaj partie, si edhe programi politik që duhet të dominohet përmes konkretizimit të një ideje konkrete (p.sh. të drejtat kombëtare, të drejtat sociale, mbrojtja e grave, rinisë, punëtorëve, ndërtimin e shtetit, etj.) e cila publikut të gjerë zakonisht i eksplorohet përmes debateve, grupeve parlamentare, mediave, etj. pra formave të ndryshme të “kontaktit”, në mënyrë që të arrihet një qëllim i caktuar.
2. E ai qëllim ka të bëjë me marrjen e pushtetit, pra implementimin e këtij programi e ideologjie të pranuar nga qytetaret, në mënyrë që vazhdohet realizimi i synimeve qofshin ato : sociale, politike, ekonomike, e mund të ndodhe edhe kulturore e ekologjike. Në realitet duket që kur janë në pyetje organizatat partiake në kushtet dhe rrethanat e një pluralizmi fillestar, siç ishte ai i vendeve të tranzicionit, pra shteteve që në një mënyrë e kishin të realizuar identitetin e tyre kombëtar, pjesa më e rëndësishme apo ajo pjesa më mobilizuese që i fuqizojë masat e gjëra popullore, (apo dosido edhe pjesën amorfe të publikut) në projektet nacionale demokratike, na del pjesa e parë, pra elementi ideologjik.
3. Në rastin e Kosovës, duket që ky element nuk ishte i dorës së parë, meqë procesi i realizimit të identitetit kombëtar kishte mbetur në gjysmë të rrugës, dhe si i tillë vendin e tij e zëri sintagma kombëtare e cila me vete mori edhe pranoi ideologjinë e secila e mundësojë këtë proces të realizimit (anipse akoma gjysmak, pra jo në plotëni!) në kushte dhe rrethana pak a shumë specifike edhe me vetë faktin se rrugëtimi ishte dy binarësh: ai shtetërorë (kombëtarë) dhe ai demokratik që është një temë në vete e që me këtë rast nuk mund t’i kushtojmë vëmendje më të gjerë.