Pa turistët britanikë, hotelet spanjolle hezitojnë të nisin sezonin
Pronarët e shumë hoteleve në Spanjë kanë paralajmëruar se nuk mund ta përballojnë hapjen e bizneseve të tyre, pas izolimit nga koronavirusi, në një kohë kur turistët e huaj nuk lejohen të kthehen, duke specifikuar në veçanti ata britanikë.
Sipas planeve të prezantuara së fundmi nga qeveria, hotelet në Spanjë do të lejohen të hapin dyert nga 11 maji, por kufijtë mbeten të mbyllur për turistët ndërkombëtarë. Ndërkohë që sipas këtij plani do të vijojnë të jenë të mbyllura dhe plazhet spanjolle dhe vendet kryesore turistike.
Por pronarët e hoteleve kanë shprehur pakënaqësi ndaj këtyre planeve të qeverisë duke u ankuar se rrezikojnë që kostot e rihapjes të tejkalojnë fitimin e mundshëm, në një kohë kur janë të shkëputur nga tregu i madh.
Hotelet në ishujt La Gracioza, El Hierro, La Gomera dhe Formentera, të cilët janë lejuar të hapen që në 4 maj, tashmë vijojnë të qëndrojnë mbyllur për shkak të mungesës së punës.