Pa zemër
Xhevdet Bajraj
Pëllumbat
qentë
pulat
lopët
kuajt
askush nuk i numëroi
pas përfundimit të luftës
Po ashtu as librat
dorëshkrimet
fotografitë
letrat e dashurisë
buzëqeshjet
ëndrrat
pllakat e gramafonit
shishet e alkoolit
cigaret
frigoriferët
televizorët
veturat
shtëpitë
Askush nuk i ka llogaritur
as sytë e nxjerrë
duart dhe këmbët e prera
dashuritë e pushkatuara
fëmijët e palindur
Shumica e zemrave shpëtuan
të fshehura aq mirë
brenda trupit të njerëzve
saqë as tani
pronarët e tyre nuk mund t’i gjejnë
kjo s’ka fare rëndësi tani
ata tashmë janë mësuar të jetojnë pa to
P. s.
Sipas rezultateve zyrtare
përveç njëzet mijë grave
dhe vajzave të dhunuara
forcat e armikut gjatë viteve 1998-1999
kanë vrarë 11 843 kosovarë
prej tyre 1 392 fëmijë
dhe 1 739 femra
Një pjesë e tyre u morën
në kamionë frigoriferë
në vendin e armiqve
varrosur në varre të përbashkëta
dhe mbi to ndërtuan motele
qendra tregtare
ose qendra sportive
(Nga libri “Kur qajnë hardhitë”, botuar nga “Armagedoni”, 2019)