Pabarazia, model i qeverisjes në Kosovë
Shkruan: Ferat SHALA
“Qeveritë populiste shpesh përdorin pabarazinë si një mjet për ta ndarë shoqërinë dhe për të mbajtur një segment të popullsisë në varësitë e tyre, duke kërcënuar kështu thelbin e demokracisë”, Amartya Sen
Këtë thënie adekuate për shoqërinë tonë, me theks të veçantë për qeverinë, po e elaborojmë duke marrë për bazë momentin aktual, social e ekonomik të Republikës së Kosovës, në relacion me veprimet qeveritare. Për ta ilustruar dhe argumentuar thënien e lartshënuar, do t’i analizojmë dy veprime/argumente të fundit që qeveria ka ndërmarrë. Veprime këto që mbjellin pabarazinë, varshmërinë dhe shkeljen e parimeve demokratike dhe civilizuese, siç është Kushtetuta.
Shembulli i parë ilustrues është ndarja e buxhetit për vitin 2024, i dyti Ligji për Fondin Sovran.
1. Ndarjet buxhetore 2024
Në çdo shoqëri demokratike parim bazë është barazia sociale dhe politike. Fatkeqësisht kjo nuk po ndodh në Qeverinë e Kosovës, e cila në Ligjin për Buxhetin ka shpërfaqur vetitë politike, egot individuale dhe klanore, hakmarrjen dhe pabarazinë më të lartë në raport me rajone dhe me kategori të caktuara të shoqërisë, krejtësisht mbi bazën e një historie politike nga e kaluara deri më sot.
Qeveria e Kurtit, si asnjëherë më parë, diskriminoi me buxhet kategoritë e dala nga lufta, pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët vunë themelet e këtij shteti të cilin e kemi sot.
Kjo qeveri goditi rëndë me buxhet komunat të cilat politikisht dhe historikisht nuk ishin votues të partisë në pushtet. Shih ndarjet buxhetore për komunat Skenderaj, Drenas, Kaçanik, Mitrovicë etj. Cili pushtet dhe cila qeveri mund të pajtohet me logjikën që në komuna të caktuara të ketë zero projekte kapitale të reja siç ka ndodhur me këtë ndarje buxhetore për vitin 2024?!
Nuk mund ta argumentojmë ndryshe, përveçse orvatje për të krijuar varësi elektorale për kategoritë sociale dhe biznese të caktuara, të cilat do të jenë përfitues të 32 për qind të totalit të buxhetit (prej 1.1 miliard eurosh), krejt kjo në zërin buxhetor të subvencioneve. Definitivisht më shumë se politika majtiste mund t’i quajmë këto, për faktin se këto nuk kanë asnjë premisë zhvillimore, strategjike, nuk kanë asnjë premisë të hapjes së vendeve të punës, të rritjes së prodhimit vendor, të eksporteve, pra e vetmja premisë e këtij buxheti është krijimi i kategorive që kanë varësi nga subvencionet ose paraja cash e shpërndarë nga “autoriteti/lideri i mitizuar” si shpëtimtar.
2. Ligji për Fondin Sovran
Kultura dhe mentaliteti i liderit për të kontrolluar gjithçka me çdo mjet e praktikë, pa analizë e pa të ardhme, e kamufluar me kopje të zbehtë nga shtete të caktuara perëndimore, është edhe Ligji për Fondin Sovran, i cili ka kaluar tashmë në Kuvendin e Kosovës, pa vota të opozitës.
Në esencë, këtu kemi shpërfaqjen më ekstreme të orvatjes së liderit, për të vendosur dorën politike mbi asete dhe resurse të cilat nuk mund të qeverisen dhe nuk kanë perspektivë me këtë logjikë ekstreme majtiste, centraliste, në kundërshtim me parimet e tregut të lirë e të konkurrencës.
Praktikat e shteteve tregojnë se formimi i Fondit Sovran ka ardhur si rezultat kur janë shfaqur teprica të burimeve natyrore shtetërore të njohura si;
• rezervat e tepërta nga të ardhurat,
• tepricat tregtare,
• rezervat bankare që mund të grumbullohen nga tepricat buxhetore,
• operacionet në valutë të huaj,
• paratë nga privatizimet dhe
• pagesat e transfereve qeveritare.
Nëse merren për bazë këto parime, Ligji aktual i Fondit Sovran të Kosovës është në kundërshtim të plotë, pasi që asnjë nga këto parime nuk i plotëson ky ligj. Në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me bartje të aseteve dhe jo me tepricën e pasurisë kombëtare. Po ashtu të gjitha ndërmarrjet që janë propozua të jenë pjesë e Fondit Sovran operojnë me humbje dhe kanë rezultuar financiar negativ, përjashto këtu KEK-un. Këto humbje janë thelluar në vitet 2022/2023, edhe pse është rritur financimi nga Qeveria me rreth 40 milionë euro.
Nuk ka asnjë argument të qëndrueshëm analitik, swot analizë, costbenifit, që japin garancitë që Fondi Sovran do të ndikojë në stabilitetin ekonomik. Të gjitha praktikat e shteteve tjera, por edhe parimet e Santiagos, marrin për bazë që fondet sovrane të pasurisë, menaxhojnë tepricën e pasurisë kombëtare, jo asetet bazë.
Për shembull, çfarë ofron Trainkos si vlerë e shtuar, kur dihet se operon me humbje, apo shumica e kompanive që kanë menduar të investojnë/bartin në Fond, janë me humbje siç paraqiten edhe ne raportin e performancës. Nuk ka argumente të qëndrueshme pse është e nevojshme që Kosova të ketë një Fond dhe çfarë ofron kjo për ekonominë e vendit, le të themi në raport me atë që ka bërë deri me tani Agjencia Kosovare e Privatizimit!?
Ku qëndron dallimi në mes të Fondit Sovran dhe AKP-së, pasi që ligji i AKP-së ofron pothuajse të gjitha mundësitë për investim, shitje, transformim apo dhënie me qira të aseteve të NSh-ve edhe tani. Është e rëndësishme të merret parasysh fakti që Fondi Sovran është në kundërshtim me Nenin 10 të Kushtetutës, pra me parimet e ekonomisë së tregut të lirë.
Në kundërshtim me këtë parim, ku në Fondin Sovran shuhet liria e ndërmarrësisë dhe shpirti ndërmarrës i të rinjve dhe të rejave, bizneseve në Kosovë, marr parasysh faktin se afër 90 për qind e bizneseve në Kosovë janë biznese individuale, nga të cilat Qeveria mbledh taksat, dhe financon Fondin Sovran. Përkrahje selektive duke financuar me taksa dhe kapital shtetëror Fondin Sovran dhe ndërmarrjet shtetërore, të cilat nuk janë të barabarta në kushtet e tregut me sektorin privat. Financimi i Fondit është një pikë shumë e diskutueshme, pse kapitali fillestar i Fondit duhet të jetë barrë e buxhetit të shtetit apo taksave të qytetarëve.
Neni 19 Kapitali themeltar dhe aksionet, pika 1 dhe 2; në kundërshtim të plotë me Nenin 10 të Kushtetutës. Ky parim i diskriminon 90 % të ndërmarrjeve të sektorit privat. Nëse bazohemi në atë që Republika e Kosovës siguron mjedis ligjor për tregti, ndërmarrësinë e lirë dhe sigurimin e pronës private dhe publike, si mund të minimizohet diskriminimi në treg, pasi fondi është, le të themi, një “ndërmarrje e madhe” që mund të ketë një portofol të gjerë, mund të ketë fonde të mëdha, që potencialisht nuk përfaqëson konkurrencë të ndershme në treg në raport me bizneset e tjera.
Aspekti i pavarësisë dhe qeverisjes së Fondit është shumë i diskutueshëm, ka nuanca politike, dhe është instrument për akomodimin e interesave të ngushta politike të anëtarëve të partisë në pushtet. Fondi Sovran në aspektin menaxhues, do të krijoj mekanizma duplifikues në strukturën e hierarkisë menaxheriale, dhe do të krijoj burokraci shtesë, gjë që edhe me tepër do ta ndal efikasitetin dhe transparencën. Është e rëndësishme për t’u theksuar se menaxhimi i aseteve bazë nga fondet sovrane, duhet të bëhen me përgjegjësi dhe me synimin e zhvillimit afatgjatë të vendit. Përdorimi i arsyes dhe transparencës në procesin e vendimmarrjes, është gjithashtu një element kyç për të siguruar që pasuria kombëtare të përdoret në avantazh të popullsisë dhe të shoqërisë në tërësi.