
Paçarizi: Deklarata e Albulena Haxhiut e turpshme, po u thotë deputetëve se ka me i ble
Opinionisti Rrahman Paçarizi, ka komentuar deklaratat e zyrtarëve të LVV-së për arritjen e numrit të mjaftueshëm për formimin e qeverisë së re.
“Sa i përket deklaratës së zonjës Haxhiu, është e çuditshme kur thotë se me grupet parlamentare, por jo me opozitën. Me kë? Çka konsideron ajo opozitë? Kush është opozitë? Në Kosovë tash për tash nuk ka as pozitë e as opozitë. Me siguri se fjalën e ka pas për partitë që kanë qenë deri më sot në opozitë. Por sërish, me kë do të flasë? Kush mbeten? Mbeten partitë e pakicave joserbe, mbetet Lista Serbe dhe Nenad Rashiqi. Me kë e kanë plan këta të bisedojnë? Dhe pse janë më të pranueshme se partitë shqiptare, unë nuk e di, nuk mund të hyj në kokën e zonjës Haxhiu dhe të analizoj se pse janë më të pranueshëm, ta zëmë, një parti turke, boshnjake, serbe, sesa PDK-ja, LDK-ja e AAK-j, parti që kanë dëshmi të luftës, të paqes e të shtetndërtimit. Nismën po e lë ende me AAK, sepse nuk e di se si do të sillen ata”, deklaroi Paçarizi.
Ai tha se partia më e madhe, LVV, po heziton të zhvillojë bisedime për koalicione me partitë të cilat, sipas tij, do të duhej të bisedonte: me PDK, LDK, AAK e me Nismën. “Por, kjo parti po synon të peshkojë deputetë. Peshkimi i deputetëve është pozicion joparimor. Unë, po të isha deputet, do të isha ndier i ofenduar nga secila përpjekje e kujtdo qoftë për të ma ndërruar partinë për një votë, sepse ajo është blerje. Sepse një deputet blihet nga dikush, ai mund të blihet nga shumëkush, sepse më nuk ka parime”, theksoi ai në Rubikon.