Pacientët nuk po i marrin shërbimet shëndetësore me kohë

30 tetor 2018 | 13:00

Mosfunksionimi i pajisjeve mjekësore ka rezultuar me kohë të gjatë pritjeje për pacientët që kanë nevojë për trajtim. Pritjet për pacientë jospitalor për Rezonancë Magnetike shkojnë deri në një vit, ndërsa për Tomografinë e Kompjuterizuar, pritjet janë mesatarisht 30-45 ditë.

Duke pasur parasysh ndikimin e madh që ka funksionimi dhe menaxhimi i pajisjeve mjekësore në kujdesin shëndetësor, përkatësisht në jetën e qytetarëve, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka ndërmarrë një auditim të performancës për përcjelljen e zbatimit të rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit “Përgjegjësia e monitorimit dhe menaxhimit në përdorimin e pajisjeve mjekësore. Rasti: Tomografia e Kompjuterizuar” i kryer në vitin 2015.

Auditimi përcjellës nxjerr në pah se asnjë nga rekomandimet e dhëna në vitin 2015 nuk janë adresuar plotësisht.

Institucionet përgjegjëse si Ministria e Shëndetësisë, Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës, Qendra Klinike Universitare dhe Spitalet e Përgjithshme në Pejë, Prizren dhe Mitrovicë, nuk kishin përgatitur plane veprimi, duke treguar mungesë të përgjegjësisë për të përmirësuar situatën për menaxhimin e pajisjeve mjekësore dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm lidhur me këtë auditim ka thënë se ofrimi i shërbimeve me kohë dhe kujdesi shëndetësor ka ndikim të madh në cilësinë jetës dhe shëndetin e qytetarëve. “Për një sistem shëndetësor funksional, teknologjitë shëndetësore janë thelbësore. Pajisjet mjekësore duhet të menaxhohen dhe monitorohen mirë, sepse luajnë rol vendimtar në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve, si dhe rehabilitimin e pacientëve”, ka thënë ai.

Vlera e pajisjeve speciale mjekësore në ShSKUK vlerësohet të jetë rreth 8 milionë euro, ndërsa shpenzimet për mirëmbajtje dhe servisim për vitet 2016-2017 janë rreth 4 milionë euro.

Në mungesë të monitorimit dhe mirëmbajtjes me kohë, ka pasur raste kur disa pajisje ishin jashtë funksionit deri në gjashtë muaj gjatë vitit.
Për më tepër, në disa raste kur Tomografitë e Kompjuterizuara (TK) kanë funksionuar jashtë parametrave të rekomanduar nga prodhuesi, duke rrezikuar kështu profesionalizmin e stafit mjekësor.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar se veprimet e deritanishme nuk janë të mjaftueshme, prandaj, në rekomandimet e dhëna për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ka kërkuar që të intensifikojnë përpjekjet për adresimin e plotë të rekomandimeve.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i krahut të majtë i Juventusit, Alex Sandro, ka…