![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/09/msh-1.jpg)
Pacientët presin zgjerim të listës me barna esenciale
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka marrë pjesë sot në takimin e parë të Grupit Punues për përditësimin e Listës së produkteve dhe materialit shpenzues, e njohur si Lista e Barnave Esenciale.
Duke qenë një nga aktivitetet më të rëndësishme të Ministrisë së Shëndetësisë, ministri Latifi ka theksuar se pandemia Covid-19 dhe zhvillimet e hovshme në fushën e mjekësisë dhe farmaceutikës i obligojnë të përditësojnë Listën e Barnave Esenciale dhe se që çdo produkt që do të përfshihet duhet ta argumentojë rëndësinë për shëndetin publik, efikasitetin klinik, sigurinë, qasjen në sigurimin e tij dhe kosto-efektivitetin.
“Qytetarët dhe pacientët presin që Lista e re të zgjerojë mundësitë e tyre për terapi të reja dhe adekuate, që do të përmbushin ato zbrazëtira që për ta kanë kuptimin e sfidave apo vështirësive për të pasur terapinë që u duhet”, ka thënë Latifi, gjersa nga secili anëtar i Komitetit dhe nënkomiteteve përkatëse ka kërkuar përgjegjësi maksimale, kompetencë profesionale dhe integritet, me qëllimin kryesor që në këtë Listë të përfaqësohen ekskluzivisht interesat e pacientëve.
Ministri Latifi ka përfunduar fjalën e tij duke thënë se kjo listë, që do të shoqërohet edhe nga Ligji për përcaktimin e çmimeve të produkteve mjekësore, që Ministria e Shëndetësisë e ka finalizuar dhe do ta dërgojë në qeveri e kuvend për miratim.
Kjo sipas tij, do të jetë lehtësim për punën e profesionistëve shëndetësor dhe do ta rrisë satisfaksionin e pacientëve me shërbimet shëndetësore.