Pacientja që u infektua me ethet e minjve është nga Deçani, gjendja e saj është stabile
Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës (QKUK), Arben Vishaj ka treguar për pacienten e cila është prekur nga sindroma veshkore apo ethet e minjve.
Vishaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se pacientja është e moshës 53 vjeçare (1970) nga Deçani dhe siç tha ai kishte ardhur para një jave me ethe dhe temperaturë të lartë.
Sipas tij, aktualisht gjendja e pacientes është stabile dhe është duke e marr trajtimin e nevojshëm.
“Është një paciente e lindur në vitin 1970. Ka adhur nga Komuna e Deçanit me temperaturë, ethe dhe çrregullime të funksionit të veshkave. Kemi kërkuar analizat dhe ka rezultuar pozitiv. Mendojmë që është një paciente me ethe hemorragjike me sindromë veshkore. Pacientja ka ardhur para një jave te ne. Kemi kërkuar analiza dhe ka rezultuar pozitiv me ethe hemorragjike – të etheve të minjve. Gjendja e përgjithshme është stabile. Është duke marr trajtimin e nevojshëm dhe po shpresojmë që ka për të kaluar mirë”, ka thënë Vishaj.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka njoftuar se është diagnostikuar rasti i parë me ethe të minjve në Kosovë.
Sipas Institutit, burim kryesor i këtij infeksioni janë minjtë.
Burimi i infeksionit janë minjtë. Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëse. Në organizmin e njeriut shkaktari hy përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
IKSHPK shton se trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqiten me kohë.