Pacolli: AKR-ja në Ferizaj mbetet e unifikuar dhe e fuqishme
Aleanca Kosova e Re(AKR) ka mbajtur të premten tubim me përkrahësit e saj në komunën e Ferizajt.
Presidenti i kësaj partie, Behgjet Pacolli, në profilin e tij në “Facebook”, ka shkruar se AKR-ja në Ferizaj mbetet e unifikuar dhe e fuqishme.
“AKR-ja në Ferizaj mbetet e unifikuar dhe e fuqishme. Salla e teatrit ishte e vogël për simpatizantët që kishin ardhur në masë të madhe. Ferizajasit dëshmuan se janë punëtorë të mëdhenj dhe kanë traditë të qytetarisë. Kërkova nga strukturat e AKR-së të kthehemi në një lëvizje qytetare dhe të shpalosim vizionin tonë në çdo lagje e shtëpi të kësaj komune, për t’i ndihmuar Kosovës”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka vlerësuar se qytetarët e kësaj komune e kanë kuptuar programin ekonomik të kësaj partie.
“Qytetarët e Ferizajt kanë kuptuar se programi ekonomik i AKR-së, që njëherazi është boshti i programit tonë politik, që bazohet në promovimin e lirisë ekonomike, tregut të lirë, iniciativës së lirë dhe rolit lehtësues jo arbitrar të shtetit në proceset ekonomike, e që është garanti kryesor i një mirëqenie dhe stabiliteti afatgjatë ekonomik në Kosovë. Vizioni ynë është e vetmja rrugë që e çon Kosovën përpara, frymë që bashkon energjitë pozitive e në shërbim të vendit”, ka shkruar Pacolli.