Pacolli: Armët e paligjshme, rrezik i madh për sigurinë e Ballkanit Perëndimor
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka marrë në Konferencën Ministrore për Ballkanin perëndimore në Berlin ku është diskutuar për frenimin e paligjshëm të armeve.
Me këtë rast, Pacolli ka thënë se ka siguruar mbështetjen e plotë për nismën gjermano-frënge për zbatimin e hartës për kontroll gjithëpërfshirës të armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor.
“Arsenalet e paligjshme paraqesin një rrezik të madh sigurie për popujt në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën në tërësi”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë Pacollit:
Gjatë fjalimit tim në Konferencën Ministrore që synon të frenojë tregtinë e paligjshme të armëve dhe të sjellë armët nën kontroll në Ballkanin Perëndimor në Berlin, sot, sigurova mbështetjen e plotë për nismën gjermano-frënge për zbatimin e hartës për kontroll gjithëpërfshirës të armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor.
Ne duhet ta lëmë politikën mënjanë dhe të përqendrohemi në sfidat e vërteta ishte porosia ime kryesore për të siguruar rezultate të prekshme por edhe adresimin e duhur të problemeve me të cilat përballemi.
Arsenalet e paligjshme paraqesin një rrezik të madh sigurie për popujt në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën në tërësi.
Kosova është pjesë e iniciativës dhe do të ndërmarrë veprime nacionale, bilaterale dhe shumëpalëshe për të frenuar tregtinë e paligjshme të armëve dhe për të sjellë armët nën kontroll. Këto armë janë një kërcënim për sigurinë publike dhe kombëtare të Kosovës dhe një rrezik për stabilitetin rajonal.
Unë ngrita gjatë fjalës sime shqetësimin e Kosovës se kërcënimi më i madh me të cilin rajoni ynë përballet sot për sa i përket sigurisë është tregtimi i paligjshëm i armëve nga shteti serb dhe përdorimi i teknologjisë ushtarake për të krijuar aftësi përgjimi nga Beogradi që do të përdoren në vendet fqinje me ndihmën e aktorëve të tretë.
Evropa duhet ta kundërshtojë këtë menjëherë dhe të sigurojë që stabiliteti dhe paqja të mbizotërojë në Ballkanin Perëndimor. Kosova ka qenë e zëshme dhe e qartë në kundërshtimin e veprimtarive serbe të shitjes së armëve.
/Epoka e re/