Pacolli: Brenda pak ditësh do t’i fuqizojmë marrëdhëniet diplomatike me Gambian
08 mars 2018
| 18:27
Republika e Kosovës dhe Republika e Gambisë, brenda pak ditësh do të vënë marrëdhënie diplomatike. Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli.
“Edhe një lajm i mirë për shtetin e Kosovës dhe fuqizimin e saj në arenën ndërkombëtare. Përkundër përpjekjeve dëshpëruese të fqinjit tonë verior, Republika e Kosovës po vazhdon të shënojë suksese. Lajmi i mirë vjen nga Gambia, e përfolur dhe e shënjestruar nga kundërshtarët tanë. Marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet do t’i fuqizojmë brenda pak ditësh duke e akredituar edhe ambasadorin tonë jorezident në këtë shtet. Falënderim i madh për presidentin, qeverinë dhe popullin e Gambias”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.