Pacolli, Daçiqit: Duhet të ndiheni të turpëruar
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj një deklarate të homologut serb, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se Interpoli do të mbushet me fletarreste për udhëheqësit e Kosovës.
Pacolli nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook”, i ka thënë Daçiqit se duhet të ndihet i turpëruar për gjenocidin serb në Kosovë.
“Njerëzit e Kosovës vetëm janë mbrojtur nga gjenocidi dhe nuk turpërohemi asnjëherë për veprimet tona. Të turpëruar para civilizimit botëror janë ata që kanë kryer gjenocid”, ka shkruar Pacolli.
Postimi i plotë i Pacollit:
E lexova një deklaratë të Daçiqit, se gjoja Interpoli do të mbushet me fletarreste për udhëheqësit e Kosovës.
Po, mund të ndodhë që Serbia të vazhdojë të keqpërdorë edhe institucione ndërkombëtare, ashtu siç ka vepruar deri tani. Nuk është çudi, duke e ditur se kush është Daçiqi.
Njerëzit e Kosovës vetëm janë mbrojtur nga gjenocidi dhe nuk turpërohemi asnjëherë për veprimet tona. Të turpëruar para civilizimit botëror janë ata që kanë kryer gjenocid.
E mira është që askush nuk do të këtë mundësi më të kryej gjenocid mbi popullin e Kosovës.
Asnjë qytetar i Kosovës nuk është i dënuar për vrasje. Asnjë qytetar i Kosovës nuk është i dënuar për masakra. Asnjë qytetar i Kosovës nuk ka bërë krime lufte, ngase lufta jonë ka qenë për mbijetese.
Ndërsa bashkëideologët e Daçiqit, nuk arrin t’i numërojë kriminelët e luftës që kryen krimet e tmerrshme ne Kosovë e rajon!
/Epoka e re/