Pacolli: Daçiqit i thashë në sy, e ke humbur betejën
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se dorëzimi i letrave kredenciale nga ana e ambasadorit të Kosovës tek presidenti i Gambisë, Adama Barrow, është përgjigjja më e mirë dhe më e merituar ndaj propagandës së Serbisë dhe Ivica Daçiqit kundër subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
“Akreditimi diplomatik dhe dorëzimi i letrave kredenciale i ambasadorit të Kosovës tek presidenti i Gambisë, Adama Barrow, ishte përgjigja më e merituar ndaj propagandës dhe qëllimeve malinje të Daçiqit dhe diplomacisë serbe për minimin e kredibilitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”.
“Ministrit të jashtëm serb i thash në sy në Sarajevë mos më ndjek dhe mos shpenzo energji të kota se betejën e keni të humbur. Më habiste fakti se si mediet tona raportonin lajme të tilla të rreme dhe pa verifikim faktesh se kinse ‘Gambia do të tërhiqte njohjen’. E kam thënë edhe më herët se e ashtuquajtura ‘tërheqje e njohjes’ nuk ekziston në të Drejtën Ndërkombëtare dhe kjo është vetëm propagandë serbe për të krijuar mjegull dhe huti”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.