Pacolli, Daçiqit: Përralla të tjera tregoni në Beograd dhe të tjera këtu
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, po përfaqëson Kosovën në Helsinki, në takimin e rëndësishëm që shënon njëkohësisht fillimin e presidencës finlandeze të BE-së.
Gjatë paraqitjes së ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe atij serb, Ivica Daçiq, gjatë punimeve të sesionit të diskutimeve dhe debatit në Forumin informal të 28 ministrave të jashtëm të BE-së, dhe atyre të Ballkanit, u zhvillua debat i ashpër.
Ministri Pacolli reagoi ndaj përpjekjeve djallëzore të shefit të diplomacisë serbe për të paraqitur një rol konstruktiv të Serbisë në rajon dhe për të demonizuar Kosovën në një forum kaq prestigjioz.
“Ju tregoni përralla të tjera në Beograd dhe të tjera këtu “, i tha ministri Pacolli, homologut të tij serb.
“Nuk jeni engjëll si doni të dukeni me fjalët e bukura para kolegëve të Evropës. A ju duket evropiane dhunimi i autobusëve, i qytetarëve, i bizneseve tona në pikat kufitare, apo në territorin e Serbisë? Skandalet që ju keni bërë nëpër Afrikë janë të njohura tashmë për të gjithë “, shtoi në fjalën e tij ministri Pacolli.
Ndërkohë në fillim të fjalës së tij, ministri Pacolli falënderoi Komisioneren për punë të jashtme Mogherini për ftesën që i bëri Kosovës të merrte pjesë si e barabartë në një forum kaq të rëndësishëm diplomatik.
Duke vlerësuar ndjenjën e përkatësisë euroatlantike të Kosovës, ministri Pacolli i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të përmbyllte misionin e vet ndaj Kosovës, duke e ndihmuar në përkryerjen e shtetësisë, mision që nisi me çlirimin e Kosovës nga gjenocidi, dhe vijoi me ndihmën e dhënë në krijimin dhe mbështetjen e institucioneve të reja kosovare.
Më tej ministri Pacolli shtoi se Kosova dhe populli i saj janë më të izoluarit e kontinentit Evropian, dhe shtoi se kjo gjendje s’duhet të vazhdojë.
“Ne kemi përfunduar detyrimet tona sipas kontratës: Ju lutem, kosovarët duhet të lëvizin të lirë, ne e meritojmë Evropën, sepse jemi evropianë!”, shtoi ai.
Duke ju referuar dialogut me Serbinë dhe pretendimeve serbe, ministri Pacolli tha me vendosmëri se Plani Ahtisaari ishte maksimumi i lëshimeve që Kosova i ka bërë Serbisë në të gjithë planet.
Ministri Pacolli i përkujtoi këtij forumi të rëndësishëm se statusi që ka Kosova sot ka legjitimitet të plotë ndërkombëtar, madje është pranuar edhe prej shteteve që e kundërshtojnë pavarësinë sot.