Pacolli demanton zyrtarët e Serbisë: Liberia nuk e ka tërhequr njohjen
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka demantuar lajmin e zyrtarëve të Beogradit se Liberia ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës.
Në këtë kontest, Pacolli ka bërë me dije se ka zhvilluar një bisedë telefonike me zyrtarët e lartë të Liberisë, të cilët sipas tij ia kanë konfirmuar se ky shtet nuk ka ndryshuar qëndrimin karshi shtetit të Kosovës.
“Sapo zhvillova një bisede telefonike me udhëheqësit e lartë të Qeverisë së Liberisë, të cilët ma konfirmuan që tërheqja e njohjes së Republikës së Kosovës nuk është e vërtetë. Prandaj është për keqardhje që Beogradi zyrtar vazhdon të investojë përpjekje të kota në propagandë destruktive për konsum të brendshëm në Serbi. Në ditët në vijim, marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me Liberinë, do të kulmojnë në nivelin më të lartë diplomatik”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Lajmin kinse për tërheqjen e njohjes nga Liberia është bërë publik në mediet serbe dhe nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.
/Epoka e re/