Pacolli: Demarkacioni përmbyllet këtë javë
Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se këtë javë pritet të përmbyllet Demarkacioni me Malin e Zi. Sipas tij, Lista Serbe s’ka kurrfarë kushti për ta votuar Marrëveshjen
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, beson që Demarkacioni me Malin e Zi do të ratifikohet nga Kuvendi gjatë kësaj jave.
Këto komente Pacolli i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se ratifikimi tashmë është çështje ditësh dhe se pret që edhe Lista Serbe ta votojë Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Vjenës.
Pacolli po ashtu ka thënë se Lista Serbe nuk ka vënë ndonjë kusht në këmbim të votës për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
Kreu i diplomacisë kosovare ka potencuar se pas përmbylljes së këtij procesi ai do ta fillojë një turne vizitash në kryeqendrat e vendimmarrjes në kuadër të lobimit për liberalizimin e vizave, si dhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.