Pacolli dënon aktin vandal ndaj Konsullatës së Kosovës në Strasburg
Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka dënuar aktin vandal të vjedhjes së flamurit dhe shkatërrimit të stemës së Republikës së Kosovës, i cili ndodhi gjatë fundjavës që shkoi në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg të Francës.
Ai ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze në lidhje me këtë rast dhe pret që kryerësit e këtij akti të ulët të nxirren sa më shpejt para drejtësisë.
“Dënoj fuqishëm sulmin vandal ndaj institucioneve dhe simboleve shtetërore në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg. Falënderoj reagimin e shpejtë dhe gatishmërinë e Institucioneve franceze të sigurisë, që t’i përgjigjen shpejt kërkesës tonë për hetim dhe presim që kryerësit e këtij akti të ulët të nxirren para drejtësisë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze në lidhje me këtë rast”, ka thënë Pacolli.