Pacolli: Dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë, një prej plagëve më të mëdha
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në margjina të samitit të radhës të “Procesit të Berlinit”, i cili po mbahet në Londër, ka takuar Përfaqësuesin Special të Kryeministres Britanike për parandalimin e dhunës seksuale në konflikte, njëherit ministër i Shtetit për Komonuelth dhe Kombe të Bashkuara, Lordin Ahmad.
Me këtë rast, Pacolli e ka njoftuar Lordin Ahmad në lidhje me adresimin e çështjes së trajtimit të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, duke e falënderuar këtë të fundit për përkrahjen e madhe dhe konkrete që Mbretëria e Bashkuar, nëpërmjet ambasadës britanike në Prishtinë ka dhënë në sensibilizimin e kësaj çështje dhe për realizimin e të drejtave ligjore.
“Dhuna seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë është një prej plagëve më të mëdha, që vazhdon të rëndojë një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë kosovare edhe sot e kësaj dite. Institucionet dhe shoqëria civile në Kosovë, që nga paslufta janë angazhuar fuqishëm dhe kanë pasur koordinim të afërt në trajtimin e kësaj çështje shumë sensitive për viktimat, por edhe për rrethin e tyre dhe krejt shoqërinë kosovare”, ka thënë Pacolli.
Tutje, numri dy i Qeverisë ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes së mëtutjeshme të shtetit britanik për senzibilimin e opinionit ndërkombëtar lidhur me këto krime brutale të forcave serbe me qëllimin e parandalimit të tyre në të ardhmen kudo në botë si dhe në nxitjen e ballafaqimit me drejtësinë të kryerësve të këtyre krimeve të rënda.
Në këtë drejtim, ai ka shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e nismave ndërkombëtare për parandalimin e dhunës seksuale në konflikte dhe luftëra.
Sipas organizatave jo-qeveritare që përfaqësojnë viktimat, besohet se gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimeve seksuale.