Pacolli do ta nënshkruajë paktin e Veselit për korrupsionin
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli gjatë ditës së djeshme u ka bërë thirrje gjithë liderëve të partive politike ta nënshkruajnë një pakt 10 pikësh për luftën kundër korrupsionit.
Ndër të tjera, Veseli ka specifikuar se njëra prej pikave kryesore është që në listat e deputetëve mos të futen personat me aktakuza për korrupsion dhe nepotizëm.
Një pakt i tillë, përkundër partive të tjera, është i pranueshëm për Aleancën Kosova e re. Kryetari i kësaj partie, Behgjet Pacolli, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se do ta nënshkruajë këtë pakt.
Por ai thotë që ideja për luftimin e korrupsionit brenda partive, ka qenë ide e AKR-së shumë më herët.
“Ne do jemi pjesë e asaj por po më duket se nuk ka nevojë të potencohet diçka të cilën ti e ke në shpirtin tënd, edhe unë e di që AKR-ja dhe njerëzit e AKR-së, sidomos ata që kanë qenë në Qeveri, ai është virtyt i tyre. Sinqerisht ne këtë e kemi në programin tonë është shtyllë e programit tonë të punojmë me duar të pastra gjithmonë dhe mos të abuzojmë asnjëherë me të mirën e shtetit dhe paranë e qytetarit”, ka thënë Pacolli.