Pacolli do të dorëzojë në prokurori 10 mijë faqe dëshmi për krimet e luftës

10 dhjetor 2019 | 15:11

Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Behgjet Pacolli, ka treguar sot se do të dorëzojë në Prokurorin Speciale një material me 10 mijë faqe dëshmi për krimet e Serbisë në Kosovë.

Në një konferencë për medie, ai ka deklaruar se këto dokumente tregojnë thellësinë e krimeve të luftës të kryera në Kosovë. “Do të depozitoj 10 mijë faqe material për krimet e luftës në Kosovë. Këto në ditët në vijim do t’i dorëzohen prokurorëve tanë dhe të shohin se çka mund të bëjnë. Janë materiale që përshkruajnë ngjarjet në detaje dhe në ditët në vijim do t’i dorëzojmë prokurorëve tanë. Janë dokumente që janë aty dhe s’janë trajtuar asnjëherë. Sipas informatave që kam, 95 për qind e kriminelëve të përmendur këtu janë diku që sot veprojnë dhe lëvizin lirshëm”, ka thënë Pacolli.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të pranoj revizionizmin historik. “Ato tregojnë përgjegjësinë personale të ushtarëve, komandantëve, politikanëve dhe individëve të tjerë që punonin brenda shtetit të Serbisë gjatë luftës. Kosova nuk duhet të pranoj revizionizmin historik. Ne duhet të punojmë për të dokumentuar dhe ndjekur penalisht krimet e luftës të kryera nga Serbia në Kosovë”, ka deklaruar Pacolli.

Ai ka deklaruar se Kosova asnjëherë nuk duhet të harrojmë mizoritë e së kaluarës. “Ne ia kemi borxh viktimave të këtyre krimeve kundër njerëzimit. Ne ia kemi borxh edhe vetvetes, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë nëse ndriçojmë ditët e errëta të së kaluarës. Është një detyrim moral ndaj njerëzimit. Detyra historike është të dokumentohen torturat, vrasjet, përdhunimet, dëbimet me forcë dhe krimet e tjera të luftës të kryera nga forcat e qeverisë serbe dhe jugosllave kundër shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1998-1999”, është shprehur Pacolli.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Interit sonte (e martë) e zhvillon ndeshjen më…