Pacolli dorëzon në Prokurorinë e Kosovës dosjet e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve
Ministri i Jashtëm në detyrë, i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka dorëzuar në Prokurorinë e Kosovës dosjet për krimet e luftës dhe gjenocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë.
“Sot, Zëvendës Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli ka transferuar në Prokurorin e Kosovës dosjet për krimet e luftës dhe gjenocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë. Këto dosje paraqesin fakte dhe dëshmojnë se Serbia kishte një politikë shtetërore të orkestruar gjenocidale kundër Kosovës e cila ishte në terren e zbatuar nga ushtria jugosllave, MUP-i, grupet paramilitare të kontrolluara nga Beogradi dhe grupet e tjera lokale të armatosura serbe që kryenin spastrimin etnik dhe vrasjet masive”, ka shkruar në llogarinë e vet në ‘Facebook’ këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj.
Ai ka thënë se ne duhet të lëvizim për t’i treguar botës historinë tonë, të kaluarën tonë, vuajtjet tona.
“Ne nuk mund të lejojmë rishkrimin e të kaluarës nga digura të korruptuara si Dick Marty të cilet përdorin materiale të siguruara nga MUP-i, Ushtria dhe Inteligjenca Serbe kundër Kosovës, të njëjtat institucione që vranë shqiptarët tani për të bërë drejtësi. Do të ishte sikur të përdorni dokumentet e dhëna nga nazistët kundër Hebrenjevë që luftuan për liri në Ghetto të Varshavës. Ne nuk mund ta lejojmë këtë. Këto dokumente do të sjellin Ivica Daçiq dhe njerëzit e tij në sallën e gjyqit si të akuzuar për politikat e tyre gjenocidale në Kosovë”, ka shkruar Zyberaj.