Pacolli e Gashi lobojnë në Francë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol
Në Francë është duke u zhvilluar konferenca ndërkombëtare e nivelit të larta “Jo para për terrorin”.
Kjo konferencë në të cilën janë duke marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli dhe ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bejtush Gashi, është organizuar sipas propozimit të presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Në panelet e ndryshme kryesuar nga ministrat e jashtëm, të brendshëm, të drejtësisë së Francës, do të diskutohet për intensifikimin e luftës së përbashkët për të ndërprerë burimet e financimit të ekstremizmit dhe terrorizmit, me të gjitha mjetet, ato ligjore, të inteligjencës, etj.
Siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme, konferenca ku marrin pjesë dhjetëra burrështetas nga gjithë bota është rast i mirë për kontakte dypalëshe në funksion të njohjeve, anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe delegacioni ynë shtetëror ka në agjendë shumë takime.
Në këtë konferencë, Kosova do të mbrojë qëndrimin e saj të njohur botërisht se integrimi ndërkombëtar i vendit në strukturat globale të sigurisë, është me interes reciprok dhe është shërbim i madh që Kosova, shtet i ri, i bën luftës ndërkombëtare kundër një të keqeje të përbashkët.