Pacolli: EBA përkrah anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, po vazhdon lobimin sistematik me homologë të tij në kuadër të Samitit të Frankofonisë, i cili po mbahet në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, me qëllimin e sigurimit të një mbështetje të gjerë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në funksion të këtij qëllimi, ai sot ka zhvilluar një takim me ministrin e Shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Zaki Anawar Nusseibeh, me të cilin ka diskutuar në lidhje me avancimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat e interesit të përbashkët; shkëmbimin e përvojave në mes dy vendeve; bashkëpunimin ekonomik; si dhe në lidhje me mbështetjen për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe agjendën multilaterale.
“Zhvillova një takim konstruktiv dhe shumë përkrahës me ministrin e shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Zaki Anawar Nusseibeh, me të cilin diskutuam avancimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat e interesit reciprok; shkëmbimin e përvojave në mes dy vendeve, bashkëpunimin ekonomik, si dhe mbështetjen për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe agjendën multilaterale”, ka thënë Pacolli.
Pacolli gjatë qëndrimit dhe pjesëmarrjes në Samitin e Frankofonisë në Jerevan ka takuar disa ministra të punëve të jashtme nga shtetet anëtare të kësaj organizate, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit reciprok si dhe sigurimin e mbështetjes për anëtarësim e vendit tonë në organizata ndërkombëtare.
/Epoka e re/