Pacolli: Është koha që Kosova të heq taksën sipas propozimit amerikan
Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka kërkuar që të hiqet taksa ashtu siç janë duke kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
“Tani është koha në pikëpamje të AKR-së që Kosova të marrë një vendim për heqjen e taksave sipas propozimit amerikan në kuadër të angazhimit të fuqishëm të Kosovës drejt aleancës strategjike dhe të pazëvendësueshme me Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Pacollit:
Aleanca Kosova e Re (AKR) ka qenë mbështetëse për vendosjen e taksës së tregtisë kundër Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës në Nëntor 2018 si një kundër-masë për fushatën agresive diplomatike dhe propaganduese serbe që synonte dëmtimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe të interesave së saj kombëtare.
Taksa e arriti qëllimin e saj. Taksat e ndërgjegjësuan komunitetin ndërkombëtar për fushatën e ndotur diplomatike dhe propaganduese serbe. Taksa nuk ishte synuar kurrë të mbetet një instrument për të penguar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane nën udhëheqjen e Perëndimit, posaçërisht SHBA.
Shtetet e Bashkuara vendosën kushtin për heqjen e taksave tregtare në këmbim të përfundimit të tërheqjes së fushatës së njohjes nga Serbia dhe kanë dhenë garanci për këtë. Asnjë shtet apo entitet, nuk mund t’ja sigurojë Kosovës këto garancione. Pa mbështetjen diplomatike, politike, ekonomike dhe ushtarake të SHBA.-së, Kosova nuk ka shanse të qëndrojë vetëm kundër sfidave të jashtme me të cilat përballet.
Tani është koha në pikëpamje të AKR-së që Kosova të marrë një vendim për heqjen e taksave sipas propozimit amerikan në kuadër të angazhimit të fuqishëm të Kosovës drejt aleancës strategjike dhe të pazëvendësueshme me Shtetet e Bashkuara. Kjo është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe nuk ka asnjë alternative për partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara! Nuk ka asnjë alternative për përfitimet që na jep ky partneritet si deri më sot në jetën e popullit të Kosovës që nga vitet ’90: ne duhet të bëjmë pjesën tonë!
Vonesat në marrjen e një vendimi të tillë, narracioni anti-amerikan në sferën politike dhe publike dhe dilemat për aleancën me Shtetet e Bashkuara, shkojnë vetëm në dobi të Serbisë. Kjo është arsyeja pse AKR sot mbështet heqjen e taksës së tregtisë, angazhohet dhe mbështet lidershipin amerikan në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si garancia e vetme për një rezultat të suksesshëm me njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
/Epoka e re/