Pacolli: Franca mbetet partnere e fuqishëm e Kosovës

29 mars 2018 | 16:41

Është nënshkruar marrëveshja e mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Administratës Publike dhe Ambasadës së Francës në Republikën e Kosovës për bashkëpunim në “Avancimin e Mësimit të Gjuhës Frënge për Zyrtarët e Lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkëpunimit në Fushën e Aktiviteteve për Promovimin e Frankofonisë në Kosovë”.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është bërë nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcılar si dhe ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert.

“Memorandumi, që ne nënshkruam sot, do të krijojë mundësi të reja për shërbyesit civil të institucioneve të Kosovës, të cilët do të mund të përfitojnë nga programe të shumta të institucioneve franceze, të Bashkimit Evropian dhe Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Në mesin e atyre, që do të përfitojnë nga ky program, do të ketë diplomatë, deputetë, zyrtarë të lartë të cilët pas pak viteve, do të jenë bartësit e misionit të gjerë të Frankofonisë në rajon dhe krahas diplomatëve francez, do të lobojnë në gjuhën frënge për mbrojtjen e vlerave, që i bashkojnë popujt frankofon”, ka thënë Pacolli.

Ai ka falënderuar ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert dhe ekipin e tij për punën e shkëlqyeshme në zhvillimin e projekteve si dhe ministrin Yagçilar, për përkushtimin e tij në mbështetjen që i ka dhënë këtij projekti.

“Për Kosovën, Franca mbetet partner i fuqishëm në mbrojtjen dhe promovimin e demokracisë dhe vlerave të saj. Unë jam i bindur që programe të tilla konkrete të bashkëpunimit në mes të vendeve tona do të shërbejnë në forcimin e mëtutjeshëm të lidhjeve në mes të institucioneve dhe shoqërive tona demokratike”, ka thënë Pacolli,

Për rëndësinë e kësaj marrëveshje, marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në mes dy vendeve dhe dy popujve ka folur edhe ambasadori  Chabert.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës…