Pacolli fton homologun e tij nga Katari ta vizitojë Kosovën
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pranuar letrat kredenciale nga jorezident i Katarit për Kosovën, Ali bin Hamad Al Marri.
Pas pranimit të letrave kredenciale, Pacolli nëpërmjet ambasadorit të Katarit ka ftuar homologun e tij nga ky shtet ta vizitojë Kosovën.
“Pata nderin të mirëpres sot në zyrën time shkëlqesinë e tij, z. Ali Bin Hamad Al Marri, ambasador i Shtetit të Katarit në Tiranë, jorezident në Kosovë, i cili më prezantoi edhe kopjet e letrave kredenciale. Me ambasadorin Al Marri biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes të dyja vendeve tona, dhe njëherit e falënderova për ndihmën që Shteti i Katarit ka dhënë dhe vazhdon të japë për Republikën e Kosovës”.
“E informova ambasadorin Al Marri për planet për hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Doha, dhe interesimin e Kosovës për t’i thelluar edhe më tutje marrëdhëniet tona. Mora premtim se Katari do ta ndihmojë Kosovën edhe në marrjen e njohjeve nga disa shtete, dhe përmes ambasadorit Al Marri ftova shkëlqesinë e tij, z. Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme që ta vizitoj Kosovën”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/