Pacolli fton italianët të investojnë në Kosovë
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka ftuar kompanitë italiane që të hapin fabrikat e tyre edhe në Kosovë, krahas Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.
Pacolli në ditën e dytë të vizitës në Itali është takuar me Licia Mattioli, zëvendëspresidente për ndërkombëtarizim dhe Camilla Cionini Visani, drejtoreshë për çështje ndërkombëtare në Konfindustria.
Konfindustria është organizata më e madhe e biznesit italian që grupon afro 150 mijë kompani nga sektorë si industria, shërbimet, tregtia, etj, me afro 4.5 milionë të angazhuar.
Pacolli ka njoftuar bashkëbisedueset me legjislacionin shumë të favorshëm të Kosovës për ndërmarrësit në përgjithësi dhe ata italianë në veçanti.
Ai e ka përshkruar mjedisin biznesor të krijuar në vend, si njërin nga më dinamikët falë reformave të ndërmarra në sektorë të ndryshëm, duke e bërë Kosovën në 10 vendet më reformatorë të botës.