Pacolli fton organet shtetërore t’i hetojnë rrethanat e vdekjes tragjike të të riut nga Mitrovica
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli e ka quajtur të dhimbshëm lajmin e vdekjes së të riut si pasojë e shembjes së një pjese të ish-hotelit “Adriatik” në Mitrovicë.
Me këtë rast, Pacolli ka ftuar institucionet përgjegjëse që t’i hetojnë të gjitha rrethanat e këtij incidenti tragjik.
“I dhimbshëm dhe trishtues lajmi tragjik për vdekjen e të riut Visar Behrami nga shembja e objektit në Mitrovicë. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit. Vdekja e punëtorëve në vendin e punës nga tragjedia na është shndërruar në përditshmëri! Është tejet brengosës për ne si shtet fakti se brenda një periudhe të shkurtër kohore kanë humbur jetën me dhjetëra të rinj. I ftoj institucionet relevante të hetojnë saktë të gjitha rrethanat e këtij incidenti”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/