Pacolli fton suedezët për më shumë investime në Kosovë
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministër i vendit, Behgjet Pacolli, i cili po qëndron në Suedi, për vizitë zyrtare, ka zhvilluar sot një takim me homologen e tij suedeze, Margot Wallstrom.
Të dy krerët e diplomacive nga shtetet respektive kanë vlerësuar lartë nivelin e marrëdhënieve shumë të mira në mes dy vendeve, duke shkëmbyer pikëpamje mbi mundësitë dhe potencialet ende të pashfrytëzuara, që do të mund t’i jepnin shtytje të reja rritjes dhe thellimit të këtij bashkëpunimi, bën të ditur MPJ, nëpërmjet një njoftimi.
“Zhvillova një takim të rëndësishëm me ministren e jashtme të Mbretërisë së Suedisë, znj Margot Wallström. Ri-konfirmuam nivelin e marrëdhënieve shumë të mira, që tashmë ekzistojnë në mes dy vendeve dhe miqësisë në mes dy popujve. E falënderova për gjithçka, që shteti nordik ka bërë para, gjatë dhe pas pavarësisë. Suedia, do të mbështesë pa rezerva rrugëtimin e integrimit evropian dhe ndërkombëtarë të vendit tonë, procesin e liberalizimit të vizave dhe projektet, që ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së shtetasve tanë. Ekzistojnë shumë mundësi ende të pashfrytëzuara edhe në nivelin dy-palësh. Duam dhe presim më shumë investime suedeze në vend”, ka thënë Pacolli.
Zbatimi i Agjendës së Reformave Evropiane, procesi i përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian, dialogu me Serbinë, mbështetja suedeze në Kombet e Bashkuara brenda periudhës kohore dy vjeçare si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, organizimi i një Forumi Ekonomik në mes dy vendeve, modeli suedez i Zonave të Lira Ekonomike kanë qenë disa nga çështjet tjera të diskutimit.