Pacolli: George Weah është mrekulluar nga rezultatet e Përfaqësues së Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli e ka takuar presidentin e Liberisë, George Weah, i cili ka qenë një nga lojtarët më të mirë në historinë e skuadrës së Milanit.
Ministri Pacolli, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ka bërë me dije se me sukseset e arritura nga Përfaqësuesja e Kosovës është mrekulluar edhe një kampion si George Weah.
“Në Dakar të Senegalit ku po marr pjesë në inaugurimin e presidentit, takova edhe presidentin e Liberisë, George Weah. Presidenti Weah i cili është edhe mik i vjetër i imi, edhe njëherë rikonfirmoi mbështetjen e pa rezervë të vendit të tij për Republikën tonë. Presidentin Weah, dikur fitues i topit të artë në futboll, e informova për ecurinë e djelmoshave tanë të kombëtares së futbollit, duke i përmendur edhe rekordin e vendosur pa humbje. Kënaqësi dhe krenari e madhe që me këto rezultate të mrekullohet edhe një kampion si Weah”, ka shkruar Pacolli në “Facebook”.
/Epoka e re/