Pacolli: Gjithmonë e kam kontestuar mënyrën e privatizimit në Kosovë
Kryetari i Aleancës Kosova e re (AKR), Behgjet Pacolli, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka bërë me dije se në vitin 1999, menjëherë pas luftës, ka organizuar një seminar në Lugano, ku morën pjesë specialistë të njohur polakë për tranzicionin politiko-ekonomik nga komunizmi në rregullimin liberal të shtetit.
“Seminari ishte organizuar për qeveritarët e atëhershme të Kosovës për pjesëmarrjen e të cilëve, po ashtu unë u kujdesa. U diskutua (bazuar në përvojën e tyre), intensivisht se si duhej të bëhet privatizimi në Kosovë. Rekomandimi ishte që fillimisht të viheshin në funksion objektet, të garantohej punësimi dhe qëndrueshmëria dhe më pas të zgjidhej titullari (pronari) në bazë të aftësive. Po të ishte ndjekur ajo formë e privatizimit, situata sot në Kosovë do të ishte ndryshe”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka shtuar se përveç një blerjeje të vetme (të parëndësishme) të bërë rastësisht prej AKP-së, kompanitë e tij pronat nuk i kanë blerë nga AKP-ja, por siç ka thënë ai, nga palë të treta në të cilat është investuar shumë dhe sot janë fabrikat më moderne në rajon dhe punësojnë mijëra punëtorë.