Pacolli gjysmën e pagës ia jep fondit të qeverisë
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka njoftuar se i bashkohet nismës së kryeministrit, për ta ndarë gjysmën e pagës për shëndetësinë gjatë kohës së pandemisë. Pacolli theksoi se si asnjëherë më parë vendi ka nevojë të mbajë në këmbë sistemin publik shëndetësor. Ajo ka kërkuar nga ata që e kanë vjedhur paranë publike, t’ia kthejnë sot shtetit.
Shkrimi i saj:
Edhe unë i bashkohem nismës së Kryeministrit dhe kolegëve të mi deputetë duke ndarë gjysmën e pagës sime. Në këtë situatë emergjente shëndetësore shteti ka nevojë për ndihmën e secilit nga ne. Ne mund të ndihmojmë duke qëndruar në shtëpi e duke respektuar rregullat, e për ne që kemi sado pak mundësi edhe duke ndarë një shumë modeste për fondin e Qeverisë së Kosovës. Asnjëherë më shumë si shoqëri se këto ditë të vështira nuk e kemi ndier nevojën për një sistem të zhvilluar publik shëndetësor. Ta mbajmë në këmbë sistemin tonë publik shëndetësor. Pa të nuk do të mund t’ia dalim.
P. s. E ata që e kanë vjedhur paranë publike duhet një nga një t’ia kthejnë sot shtetit.