Pacolli godet BE-në: UEFA është më parimore sesa ju
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, e ka bërë një krahasim ndërmjet Bashkimit Evropian (BE) dhe Unionit të Federatave të Futbollit të Evropës (UEFA) sa i përket raportit të tyre me Republikën e Kosovës.
Pacolli në llogarinë e vet në “Twitter” ka shkruar se UEFA në raport me Kosovën është më parimore se sa BE-ja.
“Më vjen mirë që shoh se UEFA ka një politikë më parimore dhe më të qartë për Kosovën se sa BE-ja. Të gjitha vendet e UEFA-s u ‘obliguan’ ta pranojnë të luajnë me Kosovën”, ka shkruar Pacolli.
Këtij statusi në “Twitter” Pacolli ia ka bashkangjitur edhe videon në të cilën presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, ka thënë se secili shtet anëtar i kësaj organizate është i obliguar që ta presë Përfaqësuesen e Kosovës në vendin e vet, por edhe të shkojë në Prishtinë.
Në këtë postim ai ka etiketuar përfaqësuesen e lartë të BE-së, Frederica Mogherini dhe komisarin për zgjerim, Johannes Hahn.
Good to see @UEFA having a more principled and clear policy on #Kosovo🇽🇰 than @eu_eeas @eu_near. All UEFA countries "obliged" to accept playing Kosovo. https://t.co/UOXy8WBcln @ApostolovaEU @MajaEUspox
— Behgjet Pacolli (@pacollibehgjet) June 2, 2019