Pacolli hapi konferencën e ambasadorëve në Prishtinë
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka hapur sot konferencën e pestë të ambasadorëve, e cila nisi punimet dyditore sot në Prishtinë.
Konferenca do t’i zhvillojë punimet në katër panele.
Në panelin e parë do të diskutohet mbi zhvillimet në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ndikimi i tyre në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës; në të dytin mbi sigurinë dhe mbrojtjen në dhjetëvjetëshin e dytë të shtetësisë së Republikës së Kosovës, respektivisht sfidat e brendshme dhe rajonale të sigurisë, transformimi i FSK-së dhe NATO; në panelin e tretë mbi hapat e ardhshëm të Kosovës në procesin e integrimeve evropiane, përkatësisht përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, zbatimi i MSA-së dhe Politika e Jashtme dhe e Sigurisë e BE-së dhe Kosova.
Paneli i fundit përfshinë temën mbi trendet ekonomike globale: sfidat, orientimet dhe mundësitë për Kosovën.
Konferenca e pestë e ambasadorëve bashkon ekspertë të njohur ndërkombëtarë e vendorë mbi Politikën e Jashtme, anëtarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ministra, përfaqësues nga shoqëria civile, Ambasadorë të Republikës së Kosovës të akredituar në shtete të ndryshme si dhe Korin Diplomatik të Ambasadave të akredituara në vendin tonë.
/Epoka e re/