Pacolli thotë se vitin e ardhshëm do të hapet ambasada e Japonisë në Kosovë
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka bërë me dije se vitin e ardhshëm do të hapet Ambasada e Japonisë në Kosovë.
Ai ka thënë se ky është një lajm i jashtëzakonshëm.
Sipas Pacollit, hapja e kësaj ambasade do të shënoj një momentum të ri dhe të fuqishëm në thellimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Japonisë.
“Gjithmonë i lumtur kur pranoj letra që ritheksojnë përkrahjen e fuqishme të vendeve nga të katër anët e botës. Sot pranova urimet më të përzemërta nga znj. Toshiko Abe, ministre Shtetërore e Punëve të Jashtme të Japonisë, ku theksohet rëndësia e shënimit të dhjetëvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Japonisë dhe Kosovës. Ministrja Abe e afirmon tutje diskutimin që kemi pasur bashkë për hapjen e Ambasadës Japoneze në Republikën e Kosovës vitin që vjen, duke ritheksuar atë çfarë kemi diskutuar bashkë, që hapja e ambasadës do të shënoj një momentum të ri dhe të fuqishëm në thellimin e marrëdhënieve, edhe ashtu të shkëlqyera mes dy vendeve tona. Japonia ka qenë dhe mbetët përkrahëse e fuqishme në kontinentin aziatik, dhe ne do t’i jemi përjetësisht mirënjohës këtij vendi”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/