Pacolli i bën thirrje Serbisë të mos abuzojë politikisht me aksionin policor kundër krimit në veri
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i ka dënuar thirrjet e Serbisë që ushtria të jetë e gatshme pas operacionit policor të Policisë së Kosovës në veri.
Pacolli përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, i ka bërë thirrje Serbisë që të mos e politizojë aksionin e gjerë të Policisë kundër krimit e kontrabandës në Kosovë.
Postimi i plotë i tij:
Policia e Kosovës po kryen një operacion në Kosovën veriore për të arrestuar qytetarë të Kosovës duke përfshire Policë të cilët janë pjesë e një rrjeti që ka qenë thellësisht i përfshirë në kontrabandë, ryshfet, keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar.
Ky operacion ka qenë i pergaditur që disa muaj dhe është pjesë e përpjekjeve më të mëdha që Kosova po ndërmerr për të forcuar rendin dhe sundimin e ligjit në të gjithë vendin. Ne kemi parë operacione të ngjashme në ditët e fundit në pjesë të tjera të Kosovës.
Kosova dëshiron të tregojë vullnetin e saj për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe ne i bëjmë thirrje të gjithëve për të mbështetur veprime të tilla.
Unë i bëj thirrje Serbisë të mos abuzojë politikisht me një operacion të thjeshtë të policisë. Iu bëj thirrje atyre të mbështesin luftën kundër krimit të organizuar dhe të mos kundërshtojnë atë. Ajo që ka rëndësi është mirëqenia e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe qeveria e Kosovës garanton që kjo është me interes të lartë.
Unë i dënoj thirrjet e qeverisë serbe që madje e kanë thirur ushtrinë të jetë e gatshme për shkak të një operacioni të thjeshtë policor kundër rrjeteve të krimit të organizuar.