Pacolli, i lumtur që kompania e tij ndërtoi spitalin pediatrik “Sheikh Fatima”
Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe pronari i kompanisë “Mabetex”, Behgjet Pacolli është shprehur i lumtur që kompania e tij ka ndërtuar spitalin pediatrik “Sheikh Fatima”, që është përuruar sot në Prishtinë.
Ai ka thënë se ky spital është ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare.
“Sot në Prishtinë, u përurua Spitali Pediatrik që mban emrin ‘Sheikh Fatima’ i kompletuar me teknologjinë më moderne të kohës, i financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët drejtësisht kishin përzgjedhur kompaninë time që të ndërtoje dhe të kompletojë këtë spital sipas standardeve bashkëkohore. Jam i lumtur që kompania ime arriti që listës së gjatë të spitaleve bashkëkohore të ndërtuara nëpër botë, t’ia shtoi edhe Spitalin e specializuar pediatrik ne Prishtinë, padyshim, spitali me i kompletuar në vend. Shpresoj shumë që në këtë spital do të ketë staf të përzgjedhur, përgjegjës dhe profesionist, që këtë spital ta bëjnë pikë reference për shëndetësinë tonë”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.