Pacolli i njoftoi ministrat e Ballkanit dhe përfaqësuesit e BE-së për aksionin në veri
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka qëndruar sot për vizitë zyrtare në Sllovaki ku ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të V4 dhe Ballkanit perëndimor që po zhvillohet në Bratislavë.
Gjatë këtij takimi u rikonfirmua mbështetja e plotë për rrugëtimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë këndvështrim ministrat përcollën njëzëri mesazhin se politika e zgjerimit është një investim strategjik në zhvillimin dhe sigurinë e Evropës si dhe ndikon në forcimin e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit në rajon.
Ministri Behgjet Pacolli ka informuar ministrat e Ballkanit dhe përfaqësuesit e BE-së për aksionin në veri, ku u arrestuan një numër i madh i të përfshirëve në krim të organizuar dhe kontrabandë ku vlerësohet të jetë një numër i madh i zyrtarëve policor.
Ai ka thënë se ky operacion nuk ka pasur qëllim të sulmoj ndonjë komunitet specifik të qytetarëve të Kosovës, por fqinjët tanë nga Serbia po vazhdojnë t’i japin karakter etnik duke i politizuar përpjekjet tona për fuqizimin e sundimit të ligjit.
Në fjalën e tij ministri Pacolli ka dënuar veprimet shkatërruese të Serbisë që po ndërmerr kundër Republikës së Kosovës.
“Pjesëtarët e Forcave të Sigurisë të Kosovës, të cilët janë kërcënuar dhe janë vazhdimisht nën presion të largohen nga FSK-ja, pronat dhe familjet e pjesëtarëve të FSK-së po sulmohen, kërcënohen dhe për më tepër, pjesëtarët e FSK-së po arrestohen dhe lirohen nga policia serbe kur ata udhëtojnë në Serbi, vetëm për ta shtyrë largimin e pjesëtarëve serbë të FSK-së. Duke i kërcënuar ata madje edhe me dënime publike të rënda. Rasti i fundit dy ditë më parë një kosovar u arrestua pa ndonjë arsye. Më shumë në lidhje me komunitetin serb që jeton në Kosovë është nën kërcënime të vazhdueshme dhe kërcënime nga institucionet serbe të sigurisë. Qytetarët serbë të Kosovës që punojnë për qeverinë e Kosovës konsiderohen tradhtarë nga Beogradi”, është shprehur Pacolli.
Ai ka bërë me dije se Serbia e pengoi bashkëpunimin rajonal duke orkestruar shfaqje të ndryshme që treguan fytyrën e vërtetë të Beogradit.
Duke e vënë theksin te rëndësia e një bashkëveprimi të përforcuar mes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së, ministri evokoi rëndësinë e zhvillimeve të reja për fuqizimin e perspektivës evropiane të rajonit.
Ministri Pacolli ka vlerësuar se procesi i zgjerimit duhet të jetë i dyanshëm jo vetëm në aspektin gjeopolitik por edhe ekonomik.
Në këtë kuadër ai ka nënvizoi rëndësinë e reformave strukturore ekonomike në funksion të ngushtimit të hendekut zhvillimor që qëndron mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Ministri Pacolli po ashtu ka shprehur shqetësimin e tij se Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk gëzon ende liberalizimin e vizave.
“Çfarë mesazhi i është dërguar popullit të Kosovës, vendit më pro evropian në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe çfarë vlere evropiane i kemi dhënë rinisë sonë, por ata ende janë duke kërkuar të bashkohen me identitetin e tyre evropian”, ka deklaruar Pacolli.
/Epoka e re/