Pacolli: I papranueshëm mohimi i masakrës së Reçakut nga ministri Ivica Daçiq
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, e ka quajtur të pështirë dhe të papranueshëm mohimin e masakrës së Reçakut nga ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka shërbyer si zëdhënës i partisë së Millosheviqit në vitet ’90-ta.
Pacolli nëpërmjet një statusi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka bërë me dije se në kuadër të kompetencave të ministrit të Punëve të Jashtme ka vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata në Kosovë.
Ai i ka bërë thirrje prokurorisë të marrë masa ligjore kundër tyre.
Postimi i plotë i tij:
I pështirë dhe absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës së Reçakut nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili shërbeu si zëdhënës i partisë së Millosheviqit në vitet ’90-ta.
Zëdhënësi i Millosheviqit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar.
Serbia kreu krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Evropë që nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve.
Arsyeja pse Daçiqi dhe fashistë të tjerë në Serbi mohojnë krimet e luftës është sepse drejtësia ndërkombëtare dështoi në sjelljen e atyre para drejtësisë që kryen krime kundër njerëzimit në Kosovë.
Nuk kishte kurrë një denazifikim të Beogradit. Drejtësia për viktimat e luftës në Kosovë nuk do të arrihet kurrë nëse drejtësia vazhdon ta fsheh gjithë ato krime nën qilim.
Nëse nuk ka dënim për krimet e Beogradit të kryera në Kosovë nuk do të ketë kurrë pajtim dhe këta fashistë në Beograd do të vazhdojnë të mohojnë krimet që kanë kryer.
Si ministër i Punëve të Jashtme kam vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona nongrata në Kosovë dhe i bëjnë thirrje prokurorisë të marrë masa ligjore kundër tyre.
/Epoka e re/