Pacolli: Jemi duke shpenzuar kohë për t’i ruajtur njohjet që i kemi
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se sigurimi i njohjeve për Kosovën është një sfidë e madhe.
Këtë deklaratë Pacolli e dha gjatë raportimit të tij para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka bërë me dije Serbia po bën fushatë të ashpër në këtë drejtim.
Pacolli është zotuar se nuk do të ndalet së lobuari për njohje të reja, si dhe ka theksuar se Kosova do t’i ruajë njohjet që ka. “Ne kemi punuar shumë. Jemi duke harxhuar shumë kohë në ruajtjen e këtyre njohjeve që i kemi. Procesi i njohjeve është proces i vështirë. Shtetet që e kanë pasur ndërmend e kanë njohur Kosovën, ndërsa këto shtetet tjera janë pozicionuar në anën tjetër. Beogradi e ka synim tërheqjen e njohjeve nga vendet që na kanë njohur”, ka thënë Pacolli.
Sipas tij, Serbia ka shumë resurse dhe po bën punë të pamëshirshme për heqjen e njohjeve.
Pacolli ka treguar se MPJ-ja është duke punuar në drejtimin që Ukraina do t’i pranojë pasaportat e Kosovës. Kjo sipas tij, mund të ndodhë deri në fund të vitit.