Pacolli kërkon lirimin e Nezir Mehmetajt që u ndalua në Merdare nga autoritetet serbe
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka reaguar pas arrestimit të Nezir Mehmetajt, i cili u ndalua në Merdare nga policia serbe, derisa po e dërgonte nënën e tij për analiza në Beograd.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Pacolli ka thënë se zyra ndërlidhëse në Beograd do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit.
“Ne e dënojmë arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj nga policia serbe dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij. Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit”, ka shkruar Pacolli.
Pacolli ka thënë se Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike.
“Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe Brukseli, nga ana tjetër, duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetareve të Kosovës dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, Nezir Mehmetaj nga fshati Rudicë e Klinës, të premten është ndaluar nga Policia serbe në pikën kufitare “Merdare”. Neziri jeton që 25 vite në Zvicër, dhe kishte qenë për pushime në Kosovë, por për shkak që nëna e tij ishte e sëmurë, ai kishte shkuar në Beograd, për t’ia bërë analizat.
Teksa po kthehej në Kosovë, ishte ndaluar në kufi nga doganierët serbë, duke i thënë se gjendet në ‘Stop listë’. Familja e Nezir Mehmetajt, ka apeluar të institucionet e vendit që të ndërmarrin masa që të kuptohet arsyeja e ndalimit të Nezirit.