Pacolli kërkon mbështetjen e Shqipërisë për vizat dhe dialogun me Serbinë
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim homologun e tij nga Shqipëria, Ditmir Bushati, nga i cili ka kërkuar mbështetjen e shtetit shqiptar për dialogun me Serbinë.
“Kam kërkuar nga pala shqiptare që të mos qëndrojnë duarkryq, por të na ndihmojnë. Shqipëria mund të jap kontribut shumë të madh”, ka deklaruar Pacolli në një konferencë të përbashkët për medie me Bushatin.
Po ashtu, ai ka kërkuar nga Shqipëria që ta mbështesë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.
“Këtë vit përpjekjet tona janë që Kosova të arrijë synimin e saj për lëvizje të lirë dhe në këtë drejtim kërkojmë përkrahje edhe nga Shqipëria. Ne bashkë me Bushatin do të udhëtojmë në Nju Jork ku do të kemi shumë takime të përbashkëta që lidhen më çështjen e liberalizimit të vizave”, ka thënë Pacolli.
Ndërsa, kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati ka thënë se nuk do të mungojë përkrahja e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave.
“Unë jam i sigurt, që kjo sfidë do të kalohet dhe Kosova do të përfshihet në listën e bardh të Shengenit. Tani nuk ka më asnjë justifikim për të mos u kryer ky proces”, është shprehur Bushati.
Pacolli dhe Bushati kanë bërë me dije se mbledhja e dy qeverive këtë herë do të mbahet në Pejë.
/Epoka e re/