Pacolli kërkon nga Greqia ta njohë pavarësinë e Kosovës
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka uruar popullin grekë për 197-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Greqisë.
Me këtë rast, Pacolli ka kërkuar nga Greqia që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Sot, Greqia po feston përvjetorin e 197-të të pavarësisë. Popullit grekë dhe përfaqësuesve të institucioneve i dëshiroj urimet më të sinqerta për më shumë begati, zhvillim dhe mirëqenie. Kosova dhe Greqia ndajnë vlera të përbashkëta demokratike dhe kanë orientim të qartë euroatlantik. Thërras institucionet e këtij vendi, që të reflektojnë edhe njëherë dhe ta njohin Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran”.
“Greqia nuk ka asnjë arsye që mos ta njoh Kosovën. Ajo ka qenë dëshmitare e të gjitha zhvillimeve politike në Kosovë dhe rajon dhe rrotën e historisë nuk mund ta kthejë askush mbrapa. Greqia duhet ta bëj hapin e parë të njohjes nga pesë vendet mos-njohëse të BE-së”, ka shkuar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.