Pacolli kërkon nga OKB-ja të hetojë zyrtarin rus të arrestuar në veri
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka kërkuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara që të hetojnë përfshirjen e punëtorit të tyre në rastin e personave të arrestuar javë më parë në komunat veriore pas aksionit të policisë.
Pacolli përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kushdo që përfshihet në agjenda dhe veprime të dyshimta kriminale nuk e ka vendin në Kosovë.
Postimi i plotë i tij:
Ftojmë përfaqësuesit e lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që të inciojnë një hetim të thellë dhe profesional në lidhje me përfshirjen e punonjësit të tyre, në atë çfarë institucionet e Republikës së Kosovës – si një vend i cili aspiron anëtarësimin në këtë organizatë universale – vlerëson se e dëmton para së gjithash, imazhin e kësaj organizate në Kosovë dhe me gjerë.
OKB-ja është instituticion i paqes, sigurisë dhe drejtësisë globale, përpjekjet e së cilës çmohen lartë nga kombet e lira dhe demokratike, andaj kushdo që duke keqpërdorur petkun e imunitetit funksional, përfshihet në agjenda dhe veprime të dyshimta e kriminale, jo vetëm që nuk e ka vendin në Kosovë, por nuk do të duhej t’i afrohej prezencës së OKB-së apo misioneve të saj kudo në botë.
Do t’i kërkojë misionit tonë diplomatik në SHBA, që kurdo që do të ketë një diskutim për zhvillimet në rajon, pranë kësaj organizte, ta adresojë rastin e këtij zyrtari, si një rast i cili shkon ndesh me të gjitha përpjekjet për rend dhe ligj në shtetin tonë. Institucionet tona të sigurisë dhe drejtësisë do të ishin të gatshme të bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të një hetimi të tillë nga ana e OKB-së, si dhe të ofrojnë informacionin që posedojnë, ku përpos thyerjes flagrante të rregullave të brendshme të OKB-së, nuk përjashtohet edhe shkelje e rëndë penale ndërkombëtare.