Pacolli kërkon përkrahjen e Bullgarisë për anëtarësim në Interpol
Ministri i Mbrojtjes së Bullgarisë, Krasimir Karakachanov, ka thënë të premten se Sofja zyrtare do të vazhdojë bashkëpunimin reciprok dhe mbështetjen për Kosovën.
Këto komente ai i ka bërë gjatë një takimi me shefin e diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, me të cilin ka biseduar për zhvillimin intensiv të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve duke shfrytëzuar korridorin e tetë (8).
Me këtë rast, Pacolli e ka falënderuar ministrin Karakachanov për mbështetjen bullgare dhënë për Kosovën.
“Ne e kishim zgjidhje të vetme për të siguruar ekzistencën tonë, shpalljen e pavarësisë dhe ju ishit të parët që e njohët, në një ndërmarrje të vështirë. Pres nga Bullgaria mikpritje të plotë për Kosovën në Samitin e Sofjes në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Pacolli.
Pacolli ka kërkuar mbështetjen e Bullgarisë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. “Një Kosovë në Interpol, është shërbim për një rajon të sigurt”, ka thënë Pacolli.