Pacolli kërkon përkrahjen e Greqisë për në Interpol dhe UNESCO

12 prill 2018 | 17:57

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur të enjten në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias.

Me këtë rast, Pacolli ka thënë se ka marrë mbështetjen e Greqisë për Kosovën, në Samitin e Sofjes dhe në forume të tjera ndërkombëtare.

“E ftova biznesin grek të jetë i pranishëm në Kosovë, që mallrat greke të hyjnë në tregun tonë ku nuk duhet të ketë monopole nga vendet fqinje. Kërkova mbështetje prej Greqisë në aspiratat tona për t’u bërë pjesë e Interpolit, UNESCO-s dhe organizatave të tjera. Mysafiri ishte shumë i qartë në mbështetjen e Greqisë për Kosovën, në Samitin e Sofjes dhe në forume të tjera ndërkombëtare”, ka thënë Pacolli pas takimit me ministrin e jashtëm grek.

Ai ka theksuar se Kotzias ishte shumë i qartë në mbështetjen e Greqisë për Kosovën.

“Homologu im grek shprehu respekt për luftën dhe përpjekjet tona si popull.  Nikos Kotzias më ftoi në Athinë, ku do të organizohet dhe një forum biznesi për të gjetur forma të reja bashkëpunimi mes dy vendeve”, është shprehur Pacolli.

“Akademiku grek me famë botërore dhe sot ministri i jashtëm, tha se ne ballkanasit duhet të krijojmë një agjendë të re pozitive dhe të dalim nga burgu i historisë. Plotësisht dakord me këtë vizion frymëzues dhe domethënës, që duhet ta jetësojmë për të mirën e popujve tanë”, ka deklaruar Pacolli.

/Epoka e re/

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas ngritjes së aktakuzës për korrupsion ka reaguar ministri i…