Pacolli: Këtë vit nuk do të ketë rritje ekonomike 7-8 % ashtu siç po pretendojnë
Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR) Behgjet Pacolli është shprehur pesimist rreth paralajmërimeve për rritje ekonomike mbi 7 për qind në Kosovë.
Ai në një postim në “Facebook”, ka shkruar se Kosova këtë vit ka gjasa të ruajë rritjen e saj ekonomike prej rreth 5 për qind, e cila është mesatarja e dy vjetëve të fundit e arritur falë remitencave të diasporës.
“Lexova që po pretendohet se në Kosovë do të ketë rritje të ekonomike mbi 7% në krahasim me vitin e kaluar. Vitin e kaluar kemi pasur një stagnim të ekonomisë për shkak të zgjedhjeve, ndryshimit të qeverive dhe pandemisë. Edhe pse ky krahasim nuk mund të jetë krahasim i mirë, prapë se prapë, për fat të keq këtë vit nuk do të ketë rritje ekonomike 7 apo 8 % ashtu si po pretendojnë”, shkruan Pacolli.
Ai tha se në lidhje më këtë ka disa fakte si: investimet direkte që ndikojnë në ngritjen e standardit të jetesës, kulturës dhe edukimit të qytetarëve, investimet në Infrastrukturë si dhe investimet në progresin teknik në përgjithësi, që ndikojnë drejtpërdrejti në rritjen e sasisë dhe cilësisë së produkteve të vendit, e që janë veprimet kryesorë që kushtëzojnë rritjen ekonomike të një vendi.
“Nëse këto zbërthehen, tregojnë se këtë vit në Kosovë nuk ka pasur investime të rëndësishme që kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve,n uk janë krijuar vende pune në masën e pretenduar, nuk ka pasur rritje të pagave ( hyrave), nuk ka pasur rritje të pensioneve ( përveç premtimeve për ndonjë ndihmë), nuk ka pasur krijime të reja të operatorëve ekonomik, nuk ka pasur të hyra shtesë për shtetin (përveç remitancave)”, shkruan Pacolli.
Kryetari i AKR-së, tha se nga ana tjetër, i gjithë viti 2021 karakterizohet me ngecje të investimeve në infrastrukturë, nuk ka pasur ndërtime të reja infrastrukturore (të çfarëdo lloji) apo edhe riparime të dëmeve nga përmbytjet e vitit të kaluar.
“Gjithashtu nuk ka asnjë shenjë se ka ndryshime të mëdha në rritjen e PBB-së krahasuar me vitin e kaluar kur ekonomia e vendit filloi të ngecë”, shkruan ai.
Pacolli thotë se tendenca për të krijuar narrativën se ka rritje ekonomike (që bazohet në rritjen e çmimeve të produkteve bazë, pa rritur të hyrat) është thjesht një “simulim” ( një term i njohur në ekonomi) apo një tendencë për të bindur se ka rritje të produktivitetit… por kjo nuk është rritje reale ekonomike.
“Kosova këtë vit ka gjasat të ruaj rritjen ekonomike afër 5%, që është mesatarja e dy viteve të fundit edhe atë fal vëllimit të remitencave e jo faktorëve të rëndësishëm që përmenda më lart”, shkruan Pacolli.
Ky reagim i Pacollit erdhi pasi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se po beson se nëse vazhdohet me këtë rritje ekonomike Kosova do t’i afrohet edhe Kroacisë.
Kurti ka deklaruar se ky vit ka qenë me shumë shpresë dhe optimizëm për qytetarët, duke rezultuar edhe me rritje ekonomike.
“Duke u bazuar në të dhënat e BQK-së, ekonomia e vendit tonë sivjet do të rritet për 9,9 për qind. Pra, praktikisht për herë të parë do të kemi rritje dyshifrore të përqindjes së bruto-produktit vendor për ekonominë tonë. Këtë vit Kosova e ka filluar me një tkurrje ekonomike prej 3,1 për qind sipas Bankës Botërore, e tash sipas BQK-së do të arrijmë realisht në rritje dyshifrore apo 10 për qind”, ka thënë Kurti.